Gjyq Imitues "Trafikimi i qenieve njerëzore”

Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) po organizojnë një “Gjyq Imitues për çështje të trafikimit të qenieve njerëzore” treditor në Hotel Mondial, Tiranë, ndërmjet 10 dhe 12 dhjetor 2024.

 

Ky aktivitet zbatohet në kuadër të projektit të UNODC-së “Forcimi i kapaciteteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht trafikimin e personave dhe për të mbrojtur viktimat e trafikimit” me mbështetjen financiare të Zyrës së Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Monitoroni dhe luftoni trafikimin e qenieve njerëzore.

 

Ky aktivitet u përshëndet nga Znj. Stojna Dimishkovska, përfaqësues e UNODC, Znj. Romina Kuko, Zv/Ministër i Brendshëm dhe Z. Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Të gjitha fjalët përshëndetëse e vunë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare në luftën kundër këtij fenomeni, domosdoshmëria e trajnimeve në këtë fushë për rritjen e efikasitetit si dhe rëndësinë e përditësimit të magjistratëve me të rejat në këtë fushë të ligjit.

 

Qëllimi i gjyqit simulues është të mbështesë sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri në forcimin e kapaciteteve për zbulimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të trafikimit të personave duke mbrojtur të drejtat e viktimave dhe përmirësimin e pozitës dhe të drejtave të viktimave në procedimet penale dhe do të përfshijë 25 pjesëmarrës, duke përfshirë gjyqtarë, prokurorë, hetues/oficerë policie, punonjës socialë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

 

Trajnimi përdor skenarë realë të çështjeve, duke përfshirë metodologjinë e hetimeve si dhe të gjykimeve të rreme. Pjesëmarrësit do të angazhohen në aktivitete me role të krijuara për të përzier njohuritë teorike dhe praktike, duke nxitur një përvojë gjithëpërfshirëse të të mësuarit

Trajnimi drejtohet nga ekspertët Z. Sandër Simoni, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Znj. Tereza Merkaj, Gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,  Znj. Doloreza Musabelliu, Prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.